Image 0 Image 1 Image 2 Image 3 Image 4

Tirana Business University

Erasmus for Young Entrepreneurs - studentët e TBU vizitojnë kantinën L'ombre, Spanjë

Dy studentët e TBU, Inirda Hoxhallari dhe Destan Abaz u bënë pjesë e programit Erasmus për Sipërmarrësit e Rinj.

Erasmus for Young Entrepreneurs - studentët e TBU vizitojnë kantinën L'ombre, Spanjë

Inirda Hoxhallari dhe Destan Abaz, studentë të vitit të dytë në programin Administrim Biznesi në TBU u bënë pjesë e programit “Erasmus for Young Entrepreneurs”, duke u angazhuar për rreth 2 muaj në formën job-on-the-training pranë L’ombre, kompani për prodhimin e verës me seli në Galicia, Spanjë.

Me motivin për t’u formuar teorikisht dhe aftësuar praktikisht mbi aktivitetin prodhues dhe menaxhues të kantinës së verës, të dy studentët u angazhuan pranë L’ombre duke ofruar kontribut në disa aktivitete pune ndihmuese. Inirda dhe Destan arritën të zhvillojnë disa takime me klientë të kompanisë, të ofrojnë ide mbi përmirësimin e strategjive të marketingut dhe shitjeve, e ndërkohë ofruan ndihmë edhe në operacionet e ambalazhimit të verës, si etiketimi i produkteve, vendosja e vulave në kutitë e pijeve apo realizimi i disa llojeve të analizave fizike kimike të produkteve, nën kujdesin dhe monitorimin e stafit të L’ombre.

Inirda dhe Destan janë pranuar si studentë bachelor në TBU përmes konkursit kombëtar Sipërmarrësit e së Nesërmes organizuar me maturantë të gjimnazeve të ndryshme të vendit, në të cilin u vlerësuan maksimalisht si ekip për njohuritë dhe aftësitë e tyre në hartimin dhe prezantimin e planit të biznesit. Sot, ata janë pjesë e skuadrës së Raiffeisen Bank Albania, e ndërkohë po trajnohen nga zyra e projekteve pranë Balfin Group, partner dhe investitor në TBU mbi studimin e fizibilitetit për idenë e tyre të sipërmarrjes për ndërtimin e kantinës së verës.

Kjo përvojë ishte mjaft produktive për të dy studentët të cilët përfituan dije, u aftësuan praktikisht dhe ridimensionuam idenë e tyre sipërmarrëse sipas një modeli biznesi të përafërt dhe tejet konkurrues e të suksesshëm.

Në realizimin e suksesshëm të programit kontribuan Jorge Pérez, Themelues dhe Administrator i L’ombre, Bélen Mendoza, Koordinatore e programit EYE, Cámara de Comercio de Santiago de Compostela si dhe Alida Kondi, Drejtore Ekzekutive pranë Centre for Competitiveness Promotion, Albania.