Themeluesit

Administrator i Përgjithshëm
Artan Hoxha është një nga ekspertët e mirënjohur të ekonomisë. Ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik (1992-1993); Drejtor e më pas President i Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB) nga viti 1997 e në vazhdim; anëtar i Këshillit të Administrimit të Universitetit të Tiranës (Shkurt 2008-Maj 2010); anëtar i Bordit Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC) në Selanik të Greqisë; anëtar i Bordit Këshillimor të Televizionit Ora News; anëtar i Bordit Këshillimor të Revistës Monitor; janë disa nga rolet e mbajtura apo në ushtrim e sipër nga z. Hoxha. Përgjatë karrierës se tij mbi 20 vjeçare, z. Hoxha ka kontribuar në përgatitjen e politikave, strategjive dhe ligjeve më të rëndësishme të lidhura me reformat ekonomike dhe institucionale. Vitet e fundit, ka luajtur rol thelbësor në ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR ), Qendrës Kombëtare të Liçensimit (QKL), reformimin e sistemit fiskal, krijimin e gjykatave administrative, reformimin e institucional e procedurial të inspektimeve administrative mbi biznesin. Z. Hoxha është një nga opinionistët e njohur lidhur me çështjet ekonomike, ligjore, instuticionale dhe politike me një aktivitet të spikatur mediatik në median televizive dhe shtypin e përditshëm. Z. Hoxha, trajner i liçensuar në Administrim Biznesi nga ILO Training Center në Torino të Italisë (1997), është një njohës i thelluar i cështjeve të lidhura me zhvillimin e sektorit privat. Institucione shtetërore shqiptare apo ndërkombëtare si dhe biznese shqiptare e të huaja në Shqipëri i drejtohen për këshillim. Z. Hoxha ka kryer studimet pasuniversitare Master në Ekonominë e Mjedisit dhe Energjisë në Shkollën Pasuniversitare Enriko Mattei të Grupit Eni, Itali (1994-1995) dhe ato universitare në Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës (1984-1989).

Enea JANKO
Enea Janko ndërthur eksperiencën praktike me atë akademike në administrimin e biznesit. Administrator i disa bizneseve: themelues dhe administrator i “EJ Business Consulting” nga viti 2008 e në vazhdim; Drejtor i Përgjithshëm i “Birra Tirana” sh.a., një prej kompanive më të mëdha e të suksesshme shqiptare (2003-2008); Drejtor i Përgjithshëm i “Bursa e Tiranës” sh.a (2002); Drejtor i Përgjithshëm i Shoqërisë Mediatike Spektër sh.a / Gazeta Shekulli (1997-1998) si dhe lektor i lëndëve “Sjellje Organizative” dhe “Hyrje në Ekonomi” janë dy drejtimet e eksperiencës së Z. Janko që e bëjnë atë një njohës të shkëlqyer të çështjeve të drejtimit e menaxhimit të biznesit në përgjithësi e të bizneseve në mjedisin shqiptar në veçanti, e në këtë kuadër edhe të natyrës së njohurive dhe aftësive që bizneset shqiptare dhe tregu i punës kërkojnë nga universitetet shqiptare lidhur me rolet e menaxherëve, financierëve apo juristëve. Eksperienca e Z. Janko përfshin: Këshilltar i Ministrit të Financave, Ekspert i Mbikëqyrjes së Bankave dhe Institucioneve Financiare (Ministria e Financave), Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë së Trajnimit të Kredive, Përfaqësues i Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit të Vendeve të Detit të Zi. Kjo eksperience pasurohet me aktivitetin e tij mediatik (1994-1998) si gazetar dhe redaktor i çështjeve ekonomike në disa gazeta të vendit ku ka botuar mbi 500 artikuj. Z. Janko, është diplomuar për Financë në Fakultetin e Ekonomisë/Universiteti i Tiranës në vitin 1994. Ai zotëron titullin Master në Administrim Publik të dhënë nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës dhe Universiteti i Nebraskës (SHBA) dhe është në përfundim të studimeve për PhD në fushën e Qeverisjes së Korporatave. Z. Janko ka drejtuar me sukses TBU si Administrator i Përgjithshëm në vitet 2010-2014.

Gjergj BUXHUKU
Gjergj Buxhuku është nismëtari dhe Administrator i Përgjithshëm i Konfederatës së Industrive të Shqipërisë (KonfIndustria), një nga organizatat më të njohura e më aktive në mbështetje të zhvillimit industrial dhe të mbrojtjes së interesave të industrive shqiptare. Si drejtues i Konfindustrisë dhe njohës i thelluar i çështjeve ekonomike të biznesit, Z. Buxhuku spikat për aktivitetin intensiv publik e mediatik si dhe për njohjet e lidhjet e tij me bizneset industriale e të shërbimeve shqiptare dhe të huaja në Shqipëri si dhe me konfederata të industrive të vendeve të ndryshme evropiane. Eksperienca 20 vjeçare e z. Buxhuku shënon kryerjen edhe të detyrave të rëndësishme shtetërore ku spikasin roli i tij si këshilltar për çështjet ekonomike të Presidentit të Republikës së Shqipërisë (2003-2004); këshilltar i Kryeministrit (2002); Koordinator në Këshillin e Ministrave (1997- 1999); këshilltar i Ministrit të Ekonomisë Publike dhe Privatizimit (1999), anëtar i Këshillit Drejtues dhe Themelues i Albanian Mobile Communication /AMC .sh.a (1995-1998); ekspert në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit (1994-1997), ekspert në politikat tregtare dhe tregtinë ndërkombëtare në Ministrinë e Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë (1992-1993). Eksperienca e tij përfshin edhe aktivitete akademike si lektor për lëndën e menaxhimit të medias në Departamentin e Gazetarisë, Fakulteti Filologjik i Universitetit të Tiranës (1998) si dhe analist i Radios “Europa e Lirë”(2001-2002). Z. Buxhuku ka kryer studimet Master në Menaxhim Projekti në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Republikës së San Marinos (1992-1994) ndërsa studimet universitare i ka kryer në Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave, Universiteti Politeknik i Tiranës (1984-1989).