Image 0 Image 1 Image 2 Image 3 Image 4 Image 5 Image 6 Image 7 Image 8 Image 9

Tirana Business University

Praktika Profesionale

Praktika Profesionale

Në këto kompani të cilat operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, studentët tanë do të kryejnë praktikat e tyre mësimore, duke implementuar të gjitha njohuritë dhe dijet e fituara gjatë programit mësimor, për t'i konsoliduar këto njohuri dhe për të fituar aftësitë e ushtrimit në praktikë të profesionit që ata kanë zgjedhur. Të udhëhequr nga pedagogët më me përvojë, studentët do të përfshihen gjerësisht edhe në organizimin e kërkimeve dhe studimeve të tregut, fushata marketingu dhe proçese të ndryshme inovative në interes të kompanive vendase dhe të huaja. 
 
Studentët dhe stafi ynë akademik e administrativ do të jenë promotorë të këtyre bizneseve në tregun shqiptar dhe më gjerë. Disa prej drejtuesve dhe specialistëve më të njohur të Balfin Group, Konfindustrisë dhe kompanive të biznesit, do të jenë anëtare të trupave drejtuese të Tirana Business University. Ata do të ftohen si lektorë, udhëheqës për tema studimore apo në biseda me studente, për të transmetuar dije dhe informacion sipas këndvështrimeve praktike të tyre. Mendimet e sugjerimet e tyre do të shërbejnë për përmirësimin dhe përshtatjen e vazhdueshme të programeve dhe metodave studimore në përputhje me kërkesat në zhvillim të tregut. 
 
Bashkëpunimi dhe partneriteti i Tirana Business University me Balfin Group, Konfindustrinë dhe kompanitë e biznesit do të jetë afatgjatë dhe do t’i shërbejë në mënyrë të ndërsjellë jo vetëm universitetit dhe studentëve të cilët vetëm nëpërmjet këtij bashkëpunimi unik do të hapin dyert e punësimit dhe të karrierës së tyre profesionale, por edhe vetë kompanitë do të përfitojnë duke punësuar specialistë dhe drejtues biznesi që për herë të parë në Shqipëri do të edukohen me programe mësimore themelet e të cilës janë të krijuara dhe të përshtatura sipas nevojave të vetë biznesit dhe tregut të punës në Shqipëri e më gjerë.
 
TBU >> Nuk merrni vetëm diplomë por nisni karrierën!
 

Një nga pikat e forta të programit të studimit në Tirana Business University College është realizimi i praktikës profesionale si komponenti po aq i rëndësishëm i formimit të studentit e që e përgatit atë më drejtëpërdrejtë për tregun e punës.

Praktika profesionale kryhet në çdo vit akademik dhe vlerësohet me kredite në përshkallëzim dhe notë. 

Balfin Group dhe partnerët e tjerë të TBU mirëpresin çdo vit studentët tanë për të zhvilluar praktikat profesionale bazuar në një plan të individualizuar për çdo student e që kryhet nën udhëheqjen e stafeve më me përvojë të kompanive partnere dhe TBU-së.

Duke filluar nga viti i parë Bachelor dhe deri në përfundim të studimeve Bachelor çdo student i TBU duhet të kryejë të paktën 24 javë praktikë profesionale në kompani të ndryshme dhe pozicione të ndryshme pune në mënyrë që aftësimi i tij praktik të jetë një spirale ngjitëse e që harmonizohet me spiralen e formimit teorik. 

TBU mundëson gjithashtu kryerjen e praktikave profesionale të zgjatura disa mujore në vitin e tretë Bachelor me synim punësimin e studentit para diplomimit. Praktikat profesionale të zgjatura iu mundësohen edhe studentëve të viteve pararendëse, në harmoni me nivelin e dijeve në vitin akademik përkatës.

Për studentët Master, praktika profesionale e detyrueshme zhvillohet si një projekt menaxhimi. Studenti përcakton objektiva për t'u arritur, harton një plan pune dhe e zbaton atë nën drejtimin e stafeve me eksperiencë të kompanive dhe TBU-së. Për studentët Master që nuk janë në marrëdhënie pune TBU mundëson kryerjen e praktikës profesionale të detyrueshme dhe/ose të zgjatur pranë kompanive partnere me synimin e punësimit të studentëve para diplomimit. Studentët në marrëdhënie pune mund t'a zhvillojnë praktikën profesionale në vendin e punës vetëm nëse profili i punës përshtatet me profilin e studimeve.