TBU prezanton NEXTGEN, studentët trajnohen nga ekspertët e IT dhe nisin praktikën në Grupin BALFIN
Tirana Business University, në bashkëpunim me Departamentin e IT të Grupit BALFIN ka paraqitur sot NEXTGEN Academy, e cila do tu ofrojë studentëve të TBU njohuri shtesë, duke u fokusuar tek ana praktike dhe duke i bërë ata që ti prekin nga afër punët konkrete, çka do tu mundësoje atyre që t’i kuptojnë detyrat me të cilat përballet një profesionist i teknologjisë së informacionit në përditshmërinë e një biznesi.
Në ceremoninë e nisjes së akademisë ishin të pranishëm përfaqësues nga departamenti i IT i Grupit BALFIN, si dhe përfaqësuesit e TBU.
Gjergji Spaho, drejtori i këtij departamenti, iu tha studentëve, se kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për të gjithë pjesmarrësit, pasi do të dalin nga kjo akademi të formuar dhe me njohuritë e nevojshme për të qenë të gatshëe për sfidat që mbart, si tregu lokal, ashtu edhe ai global.
Administratori i TBU, Dr. Altin Sholla, theksoi rëndësinë e kësaj akademie, për vetë faktin, që studentët do të kenë mundësinë që ti marrin njohuritë dhe të përballen me rastet konkrete të punës në një departament që mbulon 10 industri të ndryshme të Grupit BALFIN, një mundësi që është unike për tregun vendas.
Akademia do të mbulojë disa sfera brenda IT-së si Operacionet e IT, Siguria e Informacionit, Aplikacionet e Biznesit, Analizat e Biznesit dhe Zhvillimi i Softuerëve.
Programi përmban 14 seksione, me nga 3-4 ore secili, përfshi prezantimin e punimeve dhe praktikën në raste konkrtete në zyrat e BALFIN IT.
Tre studentët që do të paraqesin projektet më të mira në përfundim të programit, do të nisin praktikën profesionale pranë departamentit të Teknologjisë së Informacionit të Grupit BALFIN.