
Disa breza të studentëve të TBU diplomohen në një atmosferë festive në Tiranë
U zhvillua në mbrëmje në Tiranë ceremonia e diplomimit të tre brezave të fundit të Tirana Business Universtity, të cikleve Bachelor dhe Master. Studentët e Fakultetit të Biznesit dhe Drejtësisë të profileve të ndryshme, hodhën kapelet dje, në kulmimin e rrugëtimit të tyre akademik, në një atmosferë të mbushur me emocion dhe në praninë e personaliteteve të ndryshme të pranishëm.
Përveç të gjithë stafit akademik të Universitetit që ishte pjesë aktive e eventit, ky aktivitet, pas fjalës hapëse të Rektores, Prof. Dr. Vasilika Kume, u përshëndet nga themeluesi i TBU, Prof. Artan Hoxha, si dhe nga Drejtoresha Ekzekutive e Grupit BALFIN, Znj. Edlira Muka. Theksi u vendos te profili i veçantë që TBU ka si një urë lidhëse ndërmjet dijes dhe praktikës si dhe tek aksesi preferencial që studentët kanë pranë kompanive të shumta të Grupit BALFIN.
Kjo ceremoni nisi me betimin e studentëve të rinj të vitit të parë të Tirana Business University si dhe me përshëndetjen e disa ish-studentëve të cilët sollën në vëmendje sukseset e tyre në fushën e biznesit, apo arritjet profesionale, në kompanitë ku ata operojnë. Qindra studentë dhe të afërm e miq të tyre mundën të kalonin dje një mbrëmje të bukur e cila për ta do të mbahet mend gjatë.
I urojmë studentëve tanë suksese kudo!
TBU është gjithnjë këtu për ju!





















