
Nisi Masteri në Cybersecurity & Data Science në Tirana Business University
Mbrëmjen e djeshme, Tirana Business University mirëpriti studentët e Masterit Profesional në Cybersecurity & Data Science, një program modern dhe ndërdisiplinor, që përgatit profesionistët e së ardhmes në dy nga fushat më të kërkuara sot në tregun global të punës, sigurinë kibernetike dhe shkencën e të dhënave.
Ky program bashkon studentë ambiciozë dhe pedagogë ekspertë në fushat e teknologjisë, analizës së të dhënave dhe mbrojtjes kibernetike, duke ofruar një përvojë studimi që ndërthur teorinë akademike me praktikat reale të industrisë. Përmes një qasjeje praktike dhe bashkëkohore, studentët do të zhvillojnë aftësi për të analizuar, menaxhuar dhe mbrojtur sistemet e informacionit në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dixhitalisht.
Në fjalët e tyre përshëndetëse, Administratori i TBU, Dr. Altin Sholla, Rektorja, Prof. Dr. Vasilika Kume, Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, Prof. Asoc. Dr. Indrit Baholli, si dhe Drejtoresha e Programit të Masterit në Cybersecurity & Data Science, Esmeralda Kadëna, PhD, theksuan rëndësinë që ky program ka për përgatitjen e specialistëve të rinj, që do të kontribuojnë në forcimin e sigurisë dixhitale dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale në Shqipëri dhe më gjerë.
E ftuar në këtë event ishte edhe Zv. Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Znj. Floreta Faber, e cila ndau me studentët perspektivën institucionale mbi zhvillimet aktuale dhe sfidat në fushën e sigurisë kibernetike, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes akademisë dhe institucioneve shtetërore.
Në event morën pjesë gjithashtu pedagogë dhe ekspertë të ftuar, që do të jenë pjesë e këtij programi, të cilët ndanë vizionin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë dhe mbrojtjes dixhitale në vendin tonë.
Ky master ofron njohuri të avancuara në sigurinë e rrjeteve, inteligjencën artificiale, analizën e të dhënave dhe mbrojtjen e informacionit, duke e bërë atë një mundësi të jashtëzakonshme për profesionistët që synojnë të avancojnë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Tirana Business University, ku studimi çon drejt suksesit profesional.





















