
PROMOVOHET NE TBU, LIBRI “THEMELUESI – LIDERSHIPI I ISMAIL QEMALIT” NGA DR. EVARIST BEQIRI
Në ambientet e Tirana Business University u promovua libri “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit” nga Dr. Evarist Beqiri, pedagog në TBU dhe studiues i njohur në fushën e lidershipit. Libri ofron një qasje të re dhe të pasuruar mbi figurën e Ismail Qemal Vlorës, duke analizuar karakterin, vizionin, komunikimin, menaxhimin e krizave dhe trashëgiminë e tij.
Dr. Beqiri e prezantoi librin me një analizë të thelluar mbi aftësitë e jashtëzakonshme të Ismail Qemalit për të bashkuar njerëz, komunikuar efektivisht dhe marrë vendime të guximshme në kohë sfidash. Libri është mbështetur në burime arkivore ndërkombëtare, libra dhe gazeta të vjetra, si dhe dëshmi të panjohura më parë.
Në promovim foli edhe znj. Marsela Neni, Kryeredaktore e shtëpisë botuese Filara, e cila theksoi rëndësinë e këtij botimi për njohjen ndërkombëtare të figurës së Ismail Qemalit dhe për promovimin e vlerave historike dhe lidershipit në kontekst global.
Studentët angazhuan autorin me pyetje, duke e kthyer promovimin në një dialog të gjallë dhe eksperiencë të pasur mësimore. Ky event bëri bashkë pedagogë, studentë dhe dashamirës të librit, duke treguar fuqinë e leximit si mjet frymëzimi dhe formimi për liderët e së ardhmes.














