
Çelet Viti i Ri Akademik në TBU
Sot nisi zyrtarisht viti i ri akademik në Tirana Business University për ciklin Bachelor.
Qindra studentë të rinj dhe aktualë të Fakultetit të Biznesit dhe Drejtësisë si dhe të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, u mirëpritën në një takim njohës e orientues me drejtuesit dhe stafin akademik të universitetit.
Në fjalët e tyre përshëndetëse, Rektorja, Prof. Dr. Vasilika Kume, Administratori, Dr. Altin Sholla, Dekani i Fakultetit të Biznesit dhe Drejtësisë, Prof. Dr. Elvin Meka, dhe Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, Prof. Assoc. Dr. Indrit Baholli, theksuan rëndësinë e përkushtimit, profesionalizmit dhe bashkëpunimit të ngushtë që TBU mban me tregun e punës. Ata përcollën mesazhin se çdo vit i ri akademik është një mundësi për rritje, zhvillim dhe sukses të përbashkët.
Znj. Edit Valisi, Talent Acquisition & Talent Manager pranë BALFIN Group, ndau me studentët mundësitë e shumta të punësimit dhe zhvillimit profesional që grupi BALFIN ofron përmes bashkëpunimit me TBU.
Gjithashtu, Bora Bubjaku, studente në TBU, ndau përvojën e saj si pjesë e komunitetit studentor dhe ndikimin që ka qasja “Studenti 360°” në formimin e plotë akademik dhe personal të çdo studenti.
Përfaqësuesit e universitetit falënderuan studentët për besimin e treguar dhe i inkurajuan që të studiojnë me përkushtim, të shfrytëzojnë mundësitë që TBU ofron dhe të ndërtojnë hapa të sigurt drejt suksesit profesional.
Urojmë të gjithë studentët tanë një vit të mbarë, plot suksese dhe arritje akademike.














