Viti i ri akademik në TBU, mundësi punësimi në kompanitë e Grupit BALFIN dhe jo vetëm
Vendimi i maturantëve për të zgjedhur degën ku do të studiojnë si dhe universitetin ku do të kryejnë studimet, është një ndër më të rëndësishmit për të ardhmen e tyre. Sivjet, një mundësi e artë paraqitet për ta, për t’i lidhur direkt studimet e tyre me tregun e punës, me marrjen e Tirana Business University (TBU), nga Grupi i bizneseve BALFIN, me shtrirje në Shqipëri, rajon dhe më gjerë. Si një menaxher me përvojë në sektorin bankar dhe së fundmi në Grupin BALFIN, tashmë në rolin dhe sfidën si administrator i Tirana Business University College (TBU), për të nisur një epokë të rëndësishme në çuarjen e këtij universiteti drejt horizonteve të reja, Altin Sholla, gjatë një interviste në televizionin Scan sqaroi se cilat do të jenë risitë e këtij viti akademik në Tirana Business University dhe pse maturantët duhet ta zgjedhin atë.
Sipas tij, ky universitet u jep mundësi punësimi studentëve që në vitet e para të studimeve, brenda dhe jashtë vendit. Dhe fakti që BALFIN Group ka nën kupolë dhjetëra kompani, bën që mundësitë të jenë edhe më të mëdha.
“Fakti që tashmë ky Universitet drejtohet nga Grupi BALFIN, një Grup i Madh me prani ndërkombëtare, është një impakt shumë pozitiv për sistemin e lartë arsimor në Shqipëri. Kjo do ti japë një hov cilësor, si mësimdhënies, por dhe mundësisë së karrierës, për të gjithë ata gjimnazistë, studentë, dhe nesër profesionistë në tregun e punës. Kjo duke bërë një ndërthurje shumë të mirë midis botës akademike, botës së biznesit dhe oportuniteteve që jep Grupi BALFIN në këtë treg pune. Prezenca e një Grupi të madh si BALFIN, do të na japë ne të gjithë mundësinë që ta kthejmë Tirana Business University në një nga polet më të rëndësishme të sistemit arsimor në Shqipëri” – u shpreh Sholla.
Lidhur me sfidat dhe risitë që do të ketë TBU në vitin e ri akademik, Sholla tha: “Kemi objektiva shumë të larta gjatë këtij viti akademik, duam që ta integrojmë sa më mirë TBU edhe në një kontekst rajonal edhe Evropian, duke parë dhe bashkëpunimet dhe me Universitete të mirënjohura ndërkombëtare, si dhe ofrimin e studimeve në anglisht, që studentët të jenë të përgatitur për tregun rajonal dhe Evropian. Risi e këtij viti është hapja e degës së Teknologjisë së Informacionit, i cili vjen me 2 programe master dhe 3 programe bachelor, në përputhje me kërkesat e identifikuara nga ne dhe kërkesat që ka tregu i punës”.
Sholla më pas u ndal te profili i Universitetit dhe kriteret në përzgjedhjen e studentëve: “Në fakultetet tona kemi në fokus fushën e biznesit, me Fakultetin e Administrimit të Biznesit, ku kemi te integruar dhe Drejtësinë si dhe Fakulteti e Teknologjisë së Informacionit. Dy fusha mjaft të kërkuara nga tregu, kjo dhe në ndërthurje me kërkesat që kanë kompanitë e Grupit tonë. Për maturantët që duan të bëhen studentë në TBU kemi paketa të dedikuara. Në varësi të notës mesatare në gjimnaz, ne aplikojmë çmime preferenciale dhe bursa për ata që kanë nivele më të larta të mesatares. Ne vlerësojmë shumë meritën, ata që studiojnë dhe ekselencën”.
I pyetur lidhur me atë që ai e sheh si pikën më të fortë të Universitetit të tij, Sholla u shpreh: “Kemi një ndërthurje dhe akses shumë të mirë mes kompanive të Grupit BALFIN, jo vetëm për punësim, por edhe për praktika dhe njohuri mbi biznesin gjatë ciklit të studimit. Kemi edhe shumë marrëveshje bashkëpunimi edhe me institucione të tjera financiare dhe jo financiare, që janë një mundësi shumë e mirë për të çarë në tregun e punës. Pa harruar edhe bashkëpunimet me Universitetet e huaja, që janë në planet tona”.