Nis viti Akademik për Programet e Masterit në Tirana Business University
Studentët e rinj dhe aktual të programeve Master në Tirana Business University u mirëpritën në Ditën Orientuese më 04 Nëntor 2024, duke nisur udhëtimin e tyre akademik.
Gjatë këtij eventi, ata u njohën me pedagogët dhe drejtuesit e universitetit, të cilët ndanë udhëzime dhe këshilla për ecurinë e tyre akademike.
Fjalën e tyre e mbajtën Dr. Altin Sholla, Administrator i TBU, Prof. Dr. Vasilika Kume, Rektore e TBU, Prof. Dr. Elvin Meka, Dekan i Fakultetit të Biznesit dhe Drejtësisë, dhe Prof. Asoc. Dr. Indrit Baholli, Dekan i Fakultetit të Teknologjisë.
Secili prej tyre theksoi rëndësinë e përkushtimit dhe përgatitjes për sfidat akademike dhe profesionale që i presin studentët.
Prof. Dr. Vasilika Kume, në përshëndetjen e saj me rastin e çeljes së vitit të ri akademik ndër të tjera theksoi rëndësinë e kapitullit të ri që studentët nisin, duke e cilësuar atë si një periudhë të veçantë dhe të ngarkuar me sfida.
Znj. Kume u shpreh se TBU është e angazhuar t’i ndihmojë ata “në rrugën drejt suksesit, duke ju ofruar një mjedis të pasur akademik, laboratorë modernë dhe një komunitet të dedikuar”.
“Ju inkurajoj të mbani një shpirt kërkues, të angazhoheni aktivisht në leksione dhe të përfshiheni më projekte që mund të kenë ndikim në të ardhmen tuaj dhe të shoqërisë” – tha ajo.
Tirana Business University mbetet e përkushtuar për të ofruar një edukim cilësor dhe për t’i pajisur studentët me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për sukses në tregun e punës.