Nis viti i ri akademik, rektorja Kume: Të sjellim ndryshimin!
Më datë 7 Tetor, Tirana Business University hapi dyert për qindra studentë të rinj dhe aktualë në ciklin bachelor, duke i mirëpritur ata në Fakultetin e Biznesit, Drejtësisë dhe Teknologjisë së Informacionit. Ky fillim i ri shënoi një hap të rëndësishëm për studentët që synojnë të ndërtojnë karrierat e tyre në fusha të rëndësishme si biznesi, drejtësia dhe teknologjia, ndërsa përfitojnë nga eksperienca dhe udhëheqja e stafit akademik dhe profesional të TBU.
Ceremonia filloi me një takim njohës dhe orientues ku studentët u prezantuan me strukturën dhe filozofinë e TBU nga dekanët e fakulteteve dhe stafi akademik përkatës. Gjatë këtij takimi, ata patën mundësinë të njihen më nga afër me programet e studimit, aktivitetet dhe mbështetjen që universiteti ofron për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.
Një moment i rëndësishëm i ceremonisë ishte përshëndetja e ngrohtë e mbajtur nga Rektorja e TBU, Prof. Dr. Vasilika Kume, e cila nënvizoi rëndësinë e përkushtimit dhe angazhimit të studentëve për të arritur sukses akademik dhe personal gjatë viteve të studimit. Ajo u shpreh se TBU synon t’i ofrojë studentëve jo vetëm arsim cilësor, por edhe një platformë të fuqishme për zhvillimin e karrierës së tyre profesionale në fushat përkatëse. ‘Le të punojmë me përkushtim, ndershmëri dhe dëshirë për të sjellë ndryshimin në këtë vit akademik’ – u shpreh ajo.
Një tjetër përshëndetje të veçantë mbajti Dr. Altin Sholla, Administratori i TBU, i cili theksoi se universiteti është i dedikuar për të ndihmuar studentët të bëhen liderë të suksesshëm dhe profesionistë të njohur në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të punës. Ai siguroi studentët se TBU do t’i mbështesë ata me burime dhe mundësi të shumta për të zhvilluar aftësitë dhe ekspertizën e nevojshme për tregun global të punës.
Nga ana tjetër, pjesë e këtij takimi ishte dhe z. Andi Muhametaj, menaxher i projekteve në Grupin BALFIN, një nga grupet më të mëdha të investimeve në rajon, i cili foli mbi partneritetin e fuqishëm që BALFIN ka ndërtuar me TBU. Ai theksoi se ky bashkëpunim i ofron studentëve mundësi të gjera për bursa studimi dhe praktika profesionale në kompanitë e grupit, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes arsimit dhe industrisë.
Një tjetër folëse në këtë ceremoni ishte znj. Ida Hoxha, Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore pranë ACREM, kompania që menaxhon dy nga qendrat më të mëdha tregtare në Shqipëri, TEG dhe QTU. Ajo ndau përvojën e saj profesionale dhe nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme që ACREM i ofron TBU-së, jo vetëm nëpërmjet bursave për studentët ekselentë, por edhe në krijimin e mundësive për punësim të studentëve të TBU gjatë ose menjëherë pas përfundimit të studimeve.
Një moment frymëzues për studentët ishte prezantimi i përvojës së znj. Julja Husha, studente e ciklit master në TBU dhe e punësuar së fundmi pranë ACREM. Ajo ndau rrugëtimin e saj, duke përshkruar se si studimet në TBU dhe eksperienca e saj profesionale e kanë përgatitur për sfidat e tregut të punës. Përvoja e saj është një dëshmi e fuqisë së kombinimit të edukimit cilësor dhe mundësive profesionale që TBU ofron për studentët e saj.
Përfaqësuesit e Universitetit dhe të ftuarit falënderuan studentët që kanë zgjedhur TBU për të vijuar rrugëtimin e tyre akademik. Ata u zotuan të mbështesin studentët në çdo hap të këtij rrugëtimi dhe i inkurajuan ata të përfitojnë maksimalisht nga të gjitha mundësitë që universiteti ofron – nga mësimet teorike dhe praktike deri te mundësitë për lidhje me tregun e punës.
Me këtë frymë, Tirana Business University u uron të gjithë studentëve një vit akademik të suksesshëm, plot arritje dhe përvoja të paharrueshme!