
Programi i parë 6-mujor i Retail Academy në Tirana Business University
Përfundoi me sukses programi i parë 6-mujor i Retail Academy në Tirana Business University. Pjesëmarrësit, specialistë dhe menaxherë nga biznese të ndryshme në fushën e retail, patën mundësinë të përfshihen në një program gjithëpërfshirës trajnimi, që ndërthur ekspertizën akademike, praktikën në terren dhe inovacionin teknologjik.
Gjatë programit, ata fituan aftësi të avancuara në menaxhimin e skuadrave dhe operacioneve në retail, njohuri mbi strategjitë e përvojës së klientit dhe analizën e tregut, kompetenca në përdorimin e teknologjive digjitale për optimizimin e proceseve, eksperiencë praktike për sfidat e industrisë së retail-it në Shqipëri dhe rajon, si dhe zhvillim të aftësive lidershipi dhe menaxhimi të performancës, të aplikueshme menjëherë në vendin e punës.
Sot, pjesëmarrësit e akademisë prezantuan projektet e tyre përfundimtare, të zhvilluara mbi bazën e të menduarit kritik dhe kontributit të drejtpërdrejtë në kompanitë e tyre dhe më gjerë në industrinë e retail-it. Gjatë këtij eventi, patëm të ftuar përfaqësues nga kompanitë lider në retail, të cilët i pyetën dhe diskutuan mbi projektet e prezantuara: Almarin Lico – CEO, JUMBO; Ani Xhetani – Country Manager, JUMBO; Elona Stroka – Head of HR, JUMBO; Evis Tartale – Deputy CEO Commercial, Marketing & Logistic, Neptun; Blendi Dashi – Executive Leader in Wholesale, Retail & Franchise Development, Neptun; Nertila Domi – HR Director, Neptun; dhe Taulant Mecaj – Head of Retail, One Albania.
Programi u udhëhoq nga ekspertë me përvojë reale në industri, duke ndërthurur teorinë me praktikën për të ofruar një eksperiencë të plotë profesionale dhe zhvilluese. Duke kombinuar trajnime praktike, teknologji inovative dhe ekspertizë biznesi, Retail Academy vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e profesionistëve që do të udhëheqin transformimin e industrisë së retail-it në Shqipëri dhe rajon.





