Studenti i TBU, Mexhit Kastrati shpallet fitues i çmimit të parë në Konkursin e Ideve të Biznesit nga B4Students
Mexhit Kastrati, student i vitit të tretë Bachelor në Administrim Biznesi me profil Menaxhim në Tirana Business University, është shpallur fitues i çmimit të parë në edicionin e 5-të të Konkursit të Ideve të Biznesit nga B4Students, program që mbështetet nga Fondacioni MANE. Projekti fitues i Mexhitit, “Unify”, u vlerësua nga juria e përbërë nga ekspertët e Grupit BALFIN.
Në finalen e konkursit, Mexhiti u përzgjodh si ideja më e mirë dhe u dallua për përkushtimin e tij, midis 10 ideve nga studentë të tjerë nga universitete të ndryshme të vendit. Çmimi i parë përfshinte një mbështetje financiare prej 5000 euro, vlerë e cila do të përdoret për të zhvilluar më tej projektin “Unify”.
Projekti “Unify” synon krijimin e një aplikacioni që ofron informacione të detajuara dhe mundësi rezervimi për restorantet shqiptare. Ky aplikacion është menduar si një lehtësim për turistët, por edhe për të gjithë konsumatorët vendas që dëshirojnë një përvojë të përmirësuar në zgjedhjen dhe rezervimin e restoranteve.
Me rastin e fitores Mexhiti u ftua në emisionin Wake Up në televizionin Top Channel ku shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen e tij për çmimin e fituar dhe rrugëtimin që e çoi drejt suksesit. Ai tha se ideja për “Unify” lindi nga një nevojë konkrete që kishte studiuar në treg, dhe se është shumë i lumtur që kjo ide u vlerësua nga ekspertët. Mexhiti gjithashtu tha se ka ende punë për të bërë për të zhvilluar më tej projektin e tij dhe për ta bërë atë të suksesshëm në tregun shqiptar dhe më gjerë.
Kjo arritje e Mexhitit tregon protencialin e studentëve të TBU dhe e mbështetjes që universiteti ofron për të inkurajuar inovacionin dhe sipërmarrjen që në vitet e para të studimit. Mexhiti sapo ka nisur hapat e parë të jetësimit të idesë së tij, me një app i cili do të lançohet së shpejti.