Startech, TBU dhe Tirana Bank nisin programin që do të aftësojë dhe punësojë studentët
Ajo që u premtua vetëm pak muaj më parë, tashmë u bë realitet.
Tirana Business University, në bashkëpunim me Tirana Bank, do të vërë në jetë Startech, një modul i mirëfilltë universitar, që do të angazhojë dhjetëra punonjës të njëres prej bankave më të mëdha në vend, si dhe qindra studentë të TBU. Ky program parashikon që studentët të trajnohen mbi tema dhe problematika të përditshmërisë së punës në bankë, që nga sistemet që përdor departamenti i teknologjisë në Tirana Bank, e deri te softet e burimeve njerëzore, dhe jo vetëm.
Në përfundim të trajnimeve, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë praktikën e tyre prane bankës, dhe pas një vlerësimi final, ata që do të shfaqin rezultate më të larta, do të kenë mundësi të punësohen për një periudhë afatgjatë.
Për të paraqitur nisjen e këtij projekti tejet ambicioz, ishin të pranishëm në TBU, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank. Z Dritan Mustafa, Administratori i TBU Dr. Altin Sholla, Rektorja Prof. Dr. Vasilika Kume si dhe dy dekanët e TBU, Pof. Dr. Elvin Meka, Prof. Asoc. Dr. Indrit Baholli, si dhe dhjetëra studentë e gjimnazistë.
Në fjalën e tij, z. Mustafa e përshëndeti nismën dhe vuri në dukje se “së bashku ne mund të kontribuojmë në përgatitjen e brezit të ri për tregun e punës. Nëpërmjet moduleve të këtyre trajnimeve do të kemi mundësinë të ndajmë me studentët eksperiencën tonë më të mirë, nga stafi më i kualifikuar I Bankës”.
Tirana Bank është në kërkim të talenteve më të spikatura në fushën e teknologjisë dhe të inovacionit, ndërsa TBU është një insititucion referencë përsa i përket krijimit të një “talent pool”, ku meritokracia dhe dija mund të përgatisë studentë të aftë për tregun e punës, që në hapat e tyre të parë akademikë”, u shpreh z. Mustafa. Ai gjithashtu theksoi se rruga drejt digjitalizimit të shërbimeve bankare është një rrugë pa kthim, dhe ne Tirana Bank, jemi te angazhuar për të qenë në pararojë të të gjithë ndryshimeve teknologjike që e ardhmja na rezervon.
Administratori i TBU, Altin Sholla, vuri theksin te rendësia e ndërlidhjes së botës akademike me atë të biznesit. Ai u shpreh se TBU është gjithnjë në pararojë për tiu garantuar studentëve jo vetëm marrjen e njohurive dhe praktikave më të mira të
kohës, por shërben edhe si një urë lidhese direkte mes tyre dhe punësimit të sigurt pas ose gjatë studimeve.
Rektorja e TBU, Vasilika Kume, duke vlerësuar faktin që TBU është pjesë e një Grupi të madh biznesesh sui BALFIN, nënvizoi se në përputhje me sinergjitë që mund të ketë pikërtisht mes Universitetit dhe kompanive të shumta të konglomeratës së themeluar ngë sipërmarrësi Samir Mane, TBU ka mundësinë të rrisë cilësinë e ofruar dhe të krijojë një mjedis mësimor dhe hulumtues më të pasur për të gjithë pjesëmarrësit e saj.
“Tirana Business University College synon të bëhet një faktor kyç në disiplinën dhe praktikën e manaxhimit dhe lidershipit, në nivel kombëtar dhe me vizionin për të qenë model për rajonin. Ky synim do të kërkojë punë bashkëpunuese të drejtuesve të Institucionit me stafin akademik, studentët dhe Alumnit. Përveç përmirësimit të cilësisë së programeve, mbështetet edhe zhvillimi i programeve të reja të bazuara në nevojën e komunitetit të biznesit”- u shpreh ajo.
Rëndësia e kësaj nisme u përshendet edhe nga dy dekanët e TBU, përpara se ekspertët e pranishëm të Tirana bank, të bënin një shpjegim të hollësishëm të çdo elementi të programit.
Përveç Startech Hub, TBU ka lidhur një sër marrëveshjesh bashkëpunimi së fundmi, dhe pritet që së shpejti ti japë jetë edhe një Akademie Trajnimesh, me fokus biznesin dhe teknologjinë, ku jo vetëm studentët, por edhe profesionistë nga fusha të ndryshme mund të rrisin njohuritë e tyre dhe të çertifikohen në tematika të caktuara, pas trajnimeve dhe ekspertizës së marrë nga drejtuesit e bizneseve më të mira në Shqipëri dhe Rajon.
Që me marrjen e drejtimit të TBU nga Grupi BALFIN vitin e kaluar, Universiteti ka ndërmarrë një sër hapash të shpejtë për përmirësimin e infrastrukturës studimore, duke u zhvendosur në një kampus të ri modren dhe më të madh, në përputhje me aspiratat që Grupi BALFIN ka, dhe që janë shprehur edhe vetë nga Presidenti Mane, për ta bërë TBU shumë shpejt, universitetin më të mirë në vend.
Tirana Bank, nga ana tjetër, e pozicionuar strategjikisht si një nga bankat më dinamike dhe të rëndësishme në vend, me një rritje të qendrueshme në vitet e fundit dhe më të lartë se mesatarja e sektorit bankar, ka treguar vazhdimisht një angazhim të veçantë jo vetëm në çështje të përgjegjësisë sociale, por edhe në ndërtimin e programeve të posaçme të praktikës si Tirana Bank Student’s Hub.