
TBU dhe Universiteti “Isa Boletini”, bashkëpunim për hulumtimin dhe praktikat
Tirana Business University ka nënshkruar në mjediset e saj në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Isa Boletini” të Mitrovicës. Kjo marrëveshje u nënshkrua për TBU nga Rektorja, Prof. Dr. Vasilika Kume, ndërsa universiteti i Kosovës përfaqësohej nga Dekani, Prof. Asoc. Dr. Qazim Tmava.
Marrëveshja parashikon bashkëpunim të dyanshëm në fushën e hulumtimit shkencor dhe mbështetje të sipërmarrjeve në fusha të ndryshme me interes të dyanshëm. Palët kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë për praktikat e studentëve në fusha si: administratë, financë, sipërmarrje dhe menaxhim.
Stafi administrativ, ai akademik dhe studentët e të dyja universiteteve do të kenë mbështetje në proceset e hulumtimeve në fushat përkatëse.




