
TBU përmbyll me sukses ciklin e trajnimeve për bizneset në kuadër të projektit të financuar nga AKKSHI
Tirana Business University (TBU) ka përmbyllur me sukses një cikël prej pesë sesione trajnimi të dedikuara për përfaqësues të bizneseve në Shqipëri, në kuadër të projektit “Rritja e Kapaciteteve për Zhvillimin e Bizneseve të Vogla dhe të Mesme në Tiranë”, i financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), përmes thirrjes për projekt-propozime në partneritet me biznesin të vitit 2024.
Trajnimet u zhvilluan gjatë periudhës prill – qershor 2025 dhe u konceptuan për të ndihmuar ndërmarrjet shqiptare të përballen më mirë me sfidat e një tregu në zhvillim të shpejtë, duke u fokusuar në tematika praktike dhe të përditësuara si:
- Transformimi Digjital dhe Përdorimi i Teknologjisë;
- Menaxhimi Financiar dhe Burimet e Financimit;
- Zhvillimi i Aftësive të Buta dhe Lidershipit;
- Strategjitë e Qëndrueshmërisë dhe CSR;
- Marketingu dhe Shitjet në Epokën Dixhitale.
Në këto sesione morën pjesë sipërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, të cilët patën mundësinë të angazhohen me ekspertë të fushave përkatëse, të ndajnë eksperiencat e tyre dhe të ndërtojnë rrjete të reja bashkëpunimi.
Përmes këtij projekti, TBU konfirmon rolin e vet si një institucion që ndërlidh edukimin, kërkimin dhe zhvillimin ekonomik, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të sektorit privat dhe përgatitjen për sfidat e së ardhmes.
















