
U përmbyll me sukses edicioni i dytë i Konferencës Shkencore Ndërkombëtare në Tirana Business University.
Sot, Tirana Business University (TBU) përmbylli me sukses edicionin e dytë të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Technology & Business Update”, me temë kryesore: “AI & Business Environment: Transformations, Challenges & Ethics in the Digital Age”, një event i rëndësishëm akademik për institucionin dhe komunitetin shkencor në Shqipëri dhe më gjërë.
Konferenca u shndërrua në një platformë të rëndësishme dialogu mbi rolin e inteligjencës artificiale në transformimin e mjedisit të biznesit, në përballjen me sfidat etike, juridike dhe teknologjike, si dhe në ndërtimin e modeleve të reja të zhvillimit ekonomik dhe institucional.
Edicioni i dytë i kësaj konference shkencore, konfirmoi orientimin e qartë të TBU drejt ndërkombëtarizimit dhe ndërlidhjes me universitete dhe institucione partnere ndërkombëtare. Në organizimin e këtij eventi morën pjesë dhe bashkëpunuan si universitete partnere: Óbuda University (Hungari), University of Insurance and Finance (Bullgari), Universiteti “Isa Boletini” Mitrovicë, POLIS University (Tiranë), Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, dhe Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”.
Seanca plenare u zhvillua në prani të drejtuesve të lartë akademikë, të cilët theksuan nevojën për rritjen e bashkëpunimit shkencor dhe promovimin e kërkimit ndërdisiplinor, në një kohë kur teknologjitë inteligjente po ndryshojnë në mënyrë rrënjësore strukturat tradicionale të edukimit dhe ekonomisë. Keynote speaker në këtë konferencë ishin Rektori i Universitetit Łukaszewski (në Poloni) Dr. Eng. Bogusław Wijatyk, si edhe dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Isa Boletini”, Prof. Dr Qazim Tmava.
Gjatë këtyre panele u prezantuan 41 punime shkencore nga pedagogë, studiues, doktorantë dhe profesionistë, të cilët sollën qasje të reja kërkimore dhe shembuj praktikë mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorë të ndryshëm.
Konferenca e sotme shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e kulturës kërkimore pranë TBU-së, duke krijuar një hapësirë reale për shkëmbimin e ideve, për rrjetëzim profesional dhe për krijimin e bashkëpunimeve të reja akademike dhe shkencore.
Përmes këtij organizimi, Tirana Business University dëshmoi edhe një herë rolin e saj si një institucion inovator, i fokusuar te e ardhmja, teknologjia dhe zhvillimi i qëndrueshëm.















